Lideri i AKR-së dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar ndaj deklaratës së sotme të ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergey Lavrov, se kinse mercenarë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina janë vendosur në rajonin e Donbas të Ukrainës.
Pacolli, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, ka thënë se deklarata e Lavrovit është e pavërtetë dhe ka qëllim t’i implikojë kosovarët në propagandën kundër Ukrainës.
“Kosova ndalon me ligj pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në konfliktet e jashtme. Deklarata e Lavrov është e pavërtetë dhe një përpjekje për të implikuar kosovarët në propagandën e Rusisë kundër Ukrainës. Përpjekjet e rreme do të dështojnë, bota tani është e vetëdijshme për lojërat e Kremlinit”, ka shkruar Pacolli, transmeton Telegrafi.
#Kosovo prohibits by law participation of its citizens in foreign conflicts. @mfa_russia #Lavrov's statement is untrue and a attempt to implicate Kosovars in their propaganda against #Ukraine. The false-flag attempts will fail, the world is now aware of the playbook of Kremlin.
— Behgjet Pacolli (@pacollibehgjet) February 18, 2022
Ndaj deklaratës së Lavrov ka reaguar edhe shefi i stafit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela duke thënë se këto lajme të rreme janë pjesë e fushatës dezinformuese.
“Akuza e rreme e ministrit rus të Punëve të Jashtme Lavrov se Kosova ka siguruar mercenarë në Donbass është pjesë e fushatës të dezinformatave që kërkon të arsyetojnë agresionin ushtarak kundër Ukrainës. Kosova qëndron me aleatët e saj dhe Ukrainën në mbrojtje të lirisë e demokracisë”, shkruan Vela.
Ndërsa, ish kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko e ka quajtur të paprecedentë deklaratën e Lavrov në një intervistë për agjencinë shtetërore të lajmeve ruse RT.
“Përpara se Ambasada e Federatës Ruse në Tiranë të japë shpjegime (nëse do ta bëjë)… Kanali Televiziv ËION i Indisë ka bërë një kronikë të veçantë për “hartën” e përkatësisë nacionale të vullnetarëve që kanë shkuar për të ndihmuar Ukrainën”, ka shkruar Majko. /Telegrafi/