Institucionet e Maqedonisë po analizojnë rekomandimin e gjykatës evropiane të revizionit për uljen ose ndërprerjen e parave për Ballkanin perëndimor, përfshirë edhe Maqedoninë. Zv/kryeministri Arbër Ademi thotë se do të ndërmerren masa për përmbushjen e rekomandimeve dhe këtë sot në Bruksel ia kumtoi edhe drejtoreshës për Ballkanin perëndimor, Genoveva Ruiz Kalavera. Zv. Ademi i ka thënë zyrtares evropiane se Qeveria do të punojë për reformat me qëllim që paratë nga IPA fondet të shfrytëzohen në mënyrë sa më efkase, raporton Alsat-M.
“Struktura e plotë nacionale IPARD është e angazhuar për përgatitjen e vitit programor IPA 2016-2017 me qëllim që të sigurohet programim i mirë për t’u evituar mundësia për humbjen e hershme të mjeteve në fazën fillestare. Në të ardhmen, rezultatet edhe nga ky Raport do të shfrytëzohen si leksione për përmirësimin e kapaciteteve për zbatimin më efikas të projekteve”, deklaroi Arbër Ademi, Zv/kryeministër për çështje evropiane.
Vërejtja kyçe e BE-së ka të bëj me ngecjen e reformave në gjyqësor. Gjendja e rëndë në këtë sektor para një viti e gjysmë u vërtetua edhe në raportin e Pribes, ku tërhiqet vërejtja për reforma urgjente nëse Maqedonia dëshiron ta mbajë rekomandimin për fillimin e bisedimeve me BE-në. Dy vite më pas, Brukseli konstaton se nuk ka kurrfarë progresi. Paratë evropiane dorëzohen për investime në infrastrukturë, në përforcimin e administratës, për mbrojtjen e ambientit jetësor dhe me to përfshihen të gjitha ministritë. Nga ana tjetër, qëndrimi i Ministrisë së financave nuk shpjegon nëse janë të brengosur për humbjen e parave.
“Ministria e financave edhe në të ardhmen mbetet e përkushtuar ndaj procesit të integrimit në BE dhe do të punojë në përforcimin e mëtutjeshëm të kapaciteteve të saja për realizimin e suksesshëm dhe efikas të projekteve të cilat definohen në bashkëpunim me KE-në”, theksojnë nga Ministria e Financave.
Deri më tani Komisioni Evropian për shkak të menaxhimit të dobët me paratë evropiane, me disa vendime shkurtoi një pjesë të parave për projekte në Maqedoni. Në një intervistë për Alsat M, euroambasadori Samuel Zhbogar porositi se autoritetet e Maqedonisë duhet seriozisht t’i kuptojnë rekomandimet e revizorëve evropian dhe të ndërmarrin reforma rigoroze. /Telegrafi/