Site icon Telegrafi

Pa në ëndërr sikur e kishte shoqe të ngushtë Bebe Rexhën – artistja shqiptare ia bën realitet ëndrrën fanses

Bebe Rexha (Foto: Cindy Ord/Getty Images/Guliver)

Artistja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, është e pëlqyer nga miliona fansa në mbarë botën.

Këngët e saj janë dëgjuar në gjithë globin, gjersa është shquar gjithmonë për thjeshtësinë dhe komunikim e hapur që ka me fansat e saj në rrjetet sociale.

Si rrjedhojë, nuk heziton që herë pas here t’i përgjigjet ndonjë statusi interesant të ndonjë fansi në rrjetet sociale dhe një gjë të tillë e ka bërë së fundmi.

Bebe Rexha (Foto: Jean Baptiste Lacroix/Getty Images/Guliver)

Një ndjekëse e artistes nga Finlanda, shkroi një status në rrjetin social Twitter, duke treguar se si mbrëmë (e martë) kishte parë ëndërr sikur e kishte shoqe të ngushtë artisten 30-vjeçare.

“Natën e kaluar pash një ëndërr sikur Bebe Rexha ishte shoqja ime më e mirë”, shkroi fansja e këngëtares shqiptare në Twitter.

Dhe me të parë këtë, Bebe Rexha vendosi që t’ia rishpërndajë statusin fanses në faqen e saj zyrtare në Twitter, e cila ndiqet nga 1.8 milion ndjekës.

“Përshëndetje shoqja ime”, ishin fjalët me të cilat Bebe Rexha shoqëroi statusin e ndjekëses, duke ia bërë kështu “ëndrrën realitet” ndjekëses, që donte ta kishte shoqe artisten shqiptare.

E lumtur për këtë që këngëtarja idhull e saj bëri, fansja finlandeze shkroi sërish një status duke treguar ëndrrën e plotësuar.

“Në njëfarë mënyre e bëri ëndrrën time realitet”, shkroi ajo në Twitter. /Telegrafi/

Bebe Rexha (Foto: Amy Sussman/Getty Images/Guliver)
Exit mobile version