Mark Kosmo
Kosova dhe Shqipëria nuk do të hyjnë në Evropë përderisa nuk angazhojnë diasporën e gjërë shqiptare në një mënyrë më të organizuar dhe institucionale. Diaspora shqiptare është sine qua non (më e rëndësishmja) për të ardhmen tonë të përbashkët evropiane.
Historia shqiptare është e mbushur me shembuj të angazhimit të diasporës, qysh nga koha e Skënderbeut e deri në kohët e tanishme, por realiteti është që asnjëherë nuk ka pasur një organizim të mirëfilltë në nivel botëror, dhe asnjëherë nuk ka pasur politikë koherente për angazhim të diasporës nga ana e qeverive të Kosovës apo Shqipërisë.
Asnjë vend në Evropë nuk ka diasporë më të madhe për sa i përket përqindjes së popullsisë sesa ajo shqiptare, dhe asnjë vend nuk ka të ardhura më të mëdha sesa diaspora shqiptare. Trupi i njeriut nuk funksionon në mënyrë optimale në qoftë se pjesët e rëndësishme të tij nuk funksionojnë drejtë, prandaj e njëjta gjë ndodh edhe me kombin shqiptar, për të cilin diaspora paraqet një pjesë shumë të rëndësishme e të begatshme me njohuri teknike, eksperiencë profesionale dhe kapital financiar.
Në shekullin e XXI-të, me një komunitet të gjërë global shqiptar dhe teknologji që na mundëson bashkëpunimin gjithëpërfshirës, ka ardhur koha që ta lëmë prapa të kaluarën tonë të pa organizuar dhe të krijojmë një të ardhme më të organizuar. Nëse Irlanda, Izraeli, India dhe shtete të tjera të shumta kanë arritur që të angazhojnë diasporën e tyre si agjentë të ndryshimit dhe zhvillimit social e ekonomik, njëjtë mund të bëjnë edhe Kosova e Shqipëria. Këto të dyja duhet dhe mund të mësojnë nga shembujt e vendeve të tjera. Nëse dëshirojmë që të bëhemi pjesë e Bashkimin Evropian (BE), nuk kemi zgjidhje tjetër pos të kemi një angazhim më të mirëfilltë të komunitetit global shqiptar.
Drejt këtij qëllimi, Germin po organizon Konferencën Diaspora Flet në Prishtinë më 17-20 Maj. Kjo konferencë paraqet një hap shumë të rëndësishëm drejt angazhimit më të mirëfilltë të diasporës shqiptare, pasiqë është e para konferencë e madhe e organizuar së bashku nga një organizatë jo-qeveritare dhe diaspora. Do të bazohet në eksperiencën e Samitit të Diasporës të organizuar nga Qeveria e Shqipërisë në Tiranë, në nëntor të 2016-es, dhe do të adresojë shumë çështje, përfshirë edhe atë se pse diaspora shqiptare është shumë e rëndësishme për të ardhmen evropiane të shqiptarëve, dhe pse është e rëndësishme tani?
Me kalimin e kohës, të gjithë komunitetet emigruese e humbin një dozë të lidhjes me atdheun përpos nëse ka fluks të vazhdueshëm të emigrantëve. Përderisa Kosova dhe Shqipëria zhvillohen, përqindja e madhe e migrimit që ka ndodhur përgjatë 25 viteve të fundit, do të bie, prandaj nëse përpjekjet e angazhimit të komunitetit global shqiptarë nuk do të jenë të suksesshëm në dy dekadat e ardhshme, kjo do të paraqesë një mundësi të humbur për angazhimin e miliona shqiptarëve anë e mbanë botës.
Për institucionet në Shqipëri dhe Kosovë për të arritur nivelin e sofistikimit që nevojitet për tu bërë pjesë e BE-së, duhet të shfrytëzojnë eksperiencën e profesionistëve shqiptarë jashtë Ballkanit Perëndimorë. Kjo gjë nuk mund të ndodh brenda natës, por në 10-15 vitet e ardhshme do të mund të ndodhte një gjë e tillë. Kërkoj falje prej optimistëve që mendojnë ndryshe! Anëtarët e diasporës shërbejnë si ambasadorë të Kosovës dhe Shqipërisë çdo ditë në shtetet ku ata jetojnë, dhe për të pasur ambasadorë të denjë, kërkohet dizajnimi i një politike të mirëfilltë e angazhimit të tyre
Çfarë duhet bërë?
Padyshim se duhet së pari të zhvillohet një program i gjerë i promovimit të kulturës dhe gjuhës shqipe në diasporë, pasi se mund të konsiderohet thelbi i të gjitha aktiviteteve të diasporës nga gjeneratat e ardhshme. Duhet të krijohet dhe zhvillohet rrjeti global i profesionistëve, investitorëve, dhe ndërmarrësve shqiptarë. Deri më tani shumica e këtyre rrjeteve kanë operuar në nivele lokale dhe ndonjëherë shtetërore, por asgjë nuk funksionon në nivel më të gjerë global/ndërkombëtarë.
Votimi për diasporën shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë prej vendeve ku ata janë rezident duhet të lehtësohet dhe thjeshtësohet, përndryshe personat nga diaspora do të vazhdojnë të ndjehen si qytetarë të klasit sekondar dhe rrjedhimisht më pak të interesuar për angazhim. Diaspora shqiptare duhet të krijojë një fondacion që do të kanalizonte donacionet nga Fondacioni Global Shqiptar që të ndihmojë shqiptarët kudo. Një fondacion i tillë do të rriste besimin e diasporës që fondet e tyre do të përdoreshin dhe menaxhoheshin në mënyrë të drejtë. Këshilli Global i Diasporës Shqiptare duhet të krijohet në mënyrë që të bashkëpunojë me qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë (dhe qeveritë tjera regjionale) që të sigurohen se interesat e diasporës merren parasysh dhe që ata janë plotësisht të angazhuar. Duhet të ekzistojë një këshill i vetëm, e jo të ndarë në secilin shtet.
Përfundimisht, nuk ekziston ndonjë shkop magjik në angazhimin e komunitetit global shqiptarë, sikurse mund të organizohet një ekip i futbollit apo një orkestër, por kërkohet angazhimi i shumë faktorëve dhe akterëve në harmoni me njëri tjetrin në mënyrë që të arrihet suksesi. Angazhimi i Diasporës shqiptare nuk është zgjidhja përfundimtare e problemeve në Kosovë, Shqipëri madje as në diasporë, mirëpo do të jetë gjithmonë i nevojshëm.