Site icon Telegrafi

Pa befasi, Mayweather mposht McGregorin

Dueli i shekullit përfundoi në Las Vegas me fitoren e boksierit veteran, Floyd Mayweather, cili në raundin e dhjetë mbylli takimin ndaj ekspertit të arteve marciale mikse (MMA), Conor McGregor.

Gjyqtari Robert Byrd u detyrua të ndalonte sfidën kur pa se McGregor e kishte të vështirë të qëndronte në këmbë. Një nokaut teknik vulosi një spektakël sportiv që i përmbushi pritshmëritë.

McGregor, debutues në boks, në fund të ndeshjes mori komplimentet e amerikanit, i cili i tha: “E marrtë dreqi, je një luftëtar i paparë!”, transmeton Top Channel.

Tre raundet e parë shkuan për superkampionin e UFC-së, ndërsa nga raundi i katërt e më tej, Mayweather përfitoi nga lodhja e irlandezit për të marrë në dorë ndeshjen.

Në këtë mënyrë, Floyd Mayweather shkon në shtëpi me 100 milionë dollarë dhe me një bilanc 50-0 me të cilin kalon legjendën Rocky Marciano. Ndërsa McGregor merr 30 milionë dollarë, por të dy do të marrin shumë më shumë kur të mbyllen të gjitha llogaritë.

Exit mobile version