Organizata e Veteranëve të Luftës (OVL-UÇK), ka reaguar pas liturgjisë së serbëve të mbajtur në Kishën Ortodokse, tek kampusi i Universitetit të Prishtinës.
U.d. kryetari i kësaj organizate, Faton Klinaku, përmes një postimi në Facebook, është shprehur në një formë ironike, duke përdorur një fjali serbe që e mbajnë mend personat që e kanë përjetuar kohën e ish-Jugosllavisë para luftës në Kosovë.
“Veç kur t’na hyjnë një ditë policia serbe e na thonë “daj mi ličnu kartu”, ka shkruar Klinaku.
Lidhur me këtë çështje, ka pasur reagime të shumta nga liderë opozitarë, shoqëria civile e organizata të ndryshme.
Kurse, nga Qeveria e Kosovës nuk kanë folur ende nëse kanë qenë në dijeni të liturgjisë që u mbajt aty.
Ndryshe, për herë të parë që nga viti 1998, sot është mbajtur liturgji në kishën e ashtuquajtur të “Krishtit Shpëtimtar”, e cila ndodhet brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës në kryeqytet, objekt ky i kontestuar tash e sa kohë.
Kisha ortodokse serbe është ndërtuar në hapësirat e Universitetit të Prishtinës në vitin 1992, pas marrjes së dhunshme të pushtetit nga Serbia më 1989. /Telegrafi/