OVL-UÇK-së degët e Dukagjinit, kanë reaguar për ndalimin e ish-ushtarit, Tomor Morina në Maqedoninë e Veriut, pas një flet arresti të Serbisë.
Në reagimin e bërë nga OVL-UÇK thuhet se, ndalimi i luftëtarit Morina nga organet e Maqedonisë Veriore, bazuar në urdhër-arrest të Serbisë është i papranueshëm, transmeton Telegrafi.
“Ky precedan i krijuar edhe më herët në shtetet tjera, më së paku është dashur të ndodhë në një nga shtetet që aspiron drejt integrimeve euroatlantike.
Jemi të befasuar se si po respektohen urdhër-arrestet e një shteti i cili ka ushtruar gjenocid popullin tonë”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së, transmeton Telegrafi.
OVL-UÇK degët e Dukagjinit, kërkojnë menjëherë lirimin e bashkëluftëtarit të tyre Tomor Morina, ata apelojnë që të mos përsëriten më akte të tilla.
“Ne i respektojmë institucionet e Maqedonisë Veriore dhe të arriturat e tyre në rrugën euroatlantike, si dhe bashkëpunimin e saj me Republikën e Kosovës, por vendimet e Millosheviqit nuk duhet të zbatohen nga një shtet i civilizuar’, përfundon reagimi.
Ndalimin e ish-ushtarit të UÇK-së, e ka dënuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme.
“Dënojmë ndalimin e ish-Ushtarit të UÇK-së Tomor Morina nga Policia e Maqedonisë së Veriut sipas një njoftimi të Interpolit të sponsorizuar nga shteti serb.
Kjo është përsëri një shembull i keqpërdorimit politik që Serbia* bën më sistemin e flet-arrestit. Ne do ta ngremë çështjen tek Bashkimi Evropian dhe do të kërkojmë veprime të menjëhershme për të parandaluar raste të tilla të keqpërdorimit nga Serbia*, përndryshe kundërmasat do të merren nga ana e Kosovës.
Jemi në kontakt me autoritetet e Shkupit dhe besojmë së rasti do të zgjidhet se shpejti në frymën e bashkëpunimit të ngushtë që kemi më Maqedoninë e Veriut. Falënderim për të gjitha autoritetet në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht për lidershipin shqiptar atje. *Ky përcaktim është pranuar për faktin se shteti i Serbisë ka kryer krimet më të rënda kundër njerëzimit(pas luftës së dytë botërore) në Kosovë, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe ende nuk ka kërkuar falje për krimet e kryera. Shteti serb vazhdon edhe sot të pengojë pajtimin në rajon”, ka shkruar Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli. /Telegrafi/