OVL e UÇK-së thotë se janë duke përcjellur me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet në Kosovë, qoftë ato lidhur me pandeminë e Coronavirusit “COVID19” si dhe zhvillimet politike.
Përmes një reagimi pas vendimit të sotëm të Qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve si pasojë e gjendjes së krijuar nga pandemia COVID-19, OVL e UÇK-së kërkon angazhim maksimal te të gjithëve për përballimin me pandeminë dhe shpreh solidaritet me të prekurit nga virusi, mjekët, infermierët, policinë dhe cilindo qytetar që jep kontributin e vet.
“OVL e UÇK-së konsideron se angazhimi duhet të jetë unik dhe profesional sipas standardeve të botës demokratike. Kjo situatë nuk mund të jetë arsye e askujt e as e Qeverisë së Republikës së Kosovës që të shkel Kushtetutën dhe vlerat e lirisë demokracisë dhe shtetit tonë apo të drejtat e qytetarëve tonë”, thuhet në reagimin e OVL të UÇK, përcjell Telegrafi.
“Në çdo rrethanë kërkojmë qe secili të veproj sipas Kushtetutës dhe të mos i cenojë vlerat apo të drejtat tona për të cilat aq shumë ka luftuar nga populli ynë. Çdo kush që mendon se do ta uzurpojë ndonjë të drejtë kushtetuese duke shfrytëzuar kohën e pandemisë apo me qellim të ruajtjes së pozitës së vet, do ta ketë reagimin institucional dhe demokratik të OVL- UÇK-së, por edhe të popullit tonë”.
“Andaj, ftojmë Qeverinë qe të tërheq vendimin qe kufizon të drejtat tona njerëzore të garantuara me Kushtetutë dhe ftojmë Kuvendin e Kosovës dhe institucionet tjera që ta japin reagimin në mbrojtje të të drejtave të garantuara me Kushtetutë.
OVL-UÇK-së thekson se qëllimi ynë i luftës ka qenë ndërtimi i shtetit demokratik te bazuar në Kushtetutë dhe ligje e jo në veprime autoritare të cilat cenojnë këto vlera”, thuhet në reagim. /Telegrafi/