Drejtori sportiv i Ajaxit, Marc Overmars ka insistuar se dyshja e talentuar holandeze, Frankie De Jong dhe Matthijs de Ligt nuk do largohet në janar nga klubi.
E ardhmja e dyshes holandeze ka qenë shumë e përfolur pasi talenti i tyre është vërejtur nga shumë skuadra që tani duan shërbimet e tyre.
Sipas asaj që mëson Goal.com, Barcelona dhe Manchester City kanë tentuar transferimin e mesfushorit De Jong gjatë afatit kalimtar veror.
Ndërkohë De Ligt është duke u ndjekur edhe nga skuadra tjera si Unitedi, Juventusi e Interi, përveç Cityt dhe Barçës.
Megjithë interesimin e madh për dy yjet e tij, Overmars ka insistuar që dyshja do të përfundojë sezonin 2018-19 me Ajaxin.
“Mendoj se është shumë e njohur tashmë se askush nuk do të largohet nga Ajax në afatin kalimtar të transferimeve të janarit”, ka thënë fillimisht Overmars për Fox Sports.
Kjo përgjigje e legjendës holandeze erdhi pasi u pyet rreth ofertave potenciale për dyshen e talentuar De Jong dhe De Ligt.
“Nuk ka absolutisht asnjë shans largimi, pavarësisht nga ndonjë ofertë që mund të vie”, përfundoi drejtori sportiv i Ajaxit. /Telegrafi/