Kandidatja për president të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se, zhvillimi ekonomik do të ketë sukses atëherë kur komunikimi me bizneset vendore është i sinqertë.
Osmani në një shkrim në Facebook ka shtuar se, luftimi i korrupsionit mbetet njëra nga pengesat kryesore për zhvillimin e bizneseve në vend.
“Zhvillimi ekonomik do të ketë sukses kur komunikimi me bizneset vendore është i sinqertë e kur bashkëpunimi me ta realizohet brenda kornizave qartë dhe strategjikisht të definuara.
Sot, në bashkëbisedë me bizneset të cilat janë pjesë e platformës Partneriteti për Zhvillim Ekonomik, diskutuam për politikat konkrete dhe vizionin për zhvillimin ekonomik të vendit në vitet në vijim. Në thelb të këtij angazhimi është padyshim përkushtimi për luftim të korrupsionit, i cili për vite tashmë paraqitet si një nga top 3 pengesat kryesore për zhvillimin e bizneseve në vend, e që po ashtu ndikon drejtpërdrejt edhe në zvogëlimin e investimve të huaja në Kosovë. Theksova rëndësinë e sistemit dual të edukimit për rivitalizimin e tregut të punës dhe uljen e kostove të bizneseve vendore, të cilat aktualisht një pjesë të mirë të resurseve të tyre e përdorin për aftësimin e punëtorëve për punë. Orientim strategjik mbetet mbështetja e inovacionit dhe digjitalizimi i shërbimeve publike që do t’i jepte përkrahje substanciale kompanive vendore që ofrojnë shërbime në fushën e TIK. Përfundimisht, angazhimi ynë në këtë drejtim do të ketë sukses të qëndrueshëm vetëm duke ofruar mundësi të barabarta, e në këtë drejtim, së pari dhe mbi të gjitha do të punojmë për fuqizimin e grave në tregun e punës”, ka shkruar Osmani. /Telegrafi/