Telegrafi

Osmani: Vulin dhe grupi i tij kërcënoi paqen në rajonin tonë

Presidentja Vjosa Osmani, ka reaguar pas vendimit të Departamentit amerikan të Thesarit, i cili ka futur në listën e sanksioneve, Aleksandar Vulinin, drejtorin e Agjencisë së Inteligjencës Serbe-BIA.

Osmani ka thënë se Vulini dhe grupi i tij dëmtoi demokracinë dhe kërcënoi paqen në rajonin tonë.

Ajo theksoi se Vulin i shërbeu interesit keqdashës të Rusisë dhe krimit të organizuar transnacional, duke minuar kështu stabilitetin e rajonit.

“Unë përgëzoj SHBA-në për vendimin për ta sanksionuar atë. Së bashku me aleatët tanë do të luftojmë ndikimin e akterëve të tillë keqdashës”, ka shkruar ajo.

Sipas Thesarit, Vulin është përfshirë në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e tij politike dhe interesat e tij personale në kurriz të paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

Vulin më herët ka shërbyer si ministër i Mbrojtjes dhe i Brendshëm në Serbi.

Lexo po ashtu SHBA-ja sanksionon Aleksandar Vulinin

Departamenti amerikan i Thesarit tha se nuk do të hezitojë që të shënjestrojë aktorët “që abuzojnë me pozitat e tyre për të përfituar duke minuar qeverisjen efektive dhe demokratike në Ballkanin Perëndimor”.

“Veprimet e sotme mbajnë përgjegjës Aleksandar Vulinin për veprimet e tij korruptive dhe destabilizuese që po ashtu kanë lehtësuar aktivitetet malinje të Rusisë në rajon”, tha nënsekretari i Thesarit për Terrorizëm dhe Inteligjencë Financiare, Brian E.Nelson.

Vendosja e sanksioneve nënkupton që të gjitha pronat që Vulini mund të ketë në SHBA, apo që kontrollohen nga qytetarë amerikanë, do të bllokohen.

Po ashtu, atij i ndalohet që të bëjë transaksione me shtetasit amerikanë./Telegrafi/