Site icon Telegrafi

Osmani vizitoi FSK-në: Pjesëmarrja në “Defender- Europe’23”, konfirmon besimin e fuqishëm të partnerëve strategjik në ushtrinë tonë

Me qëllim të informimit me përgatitjet finale për ekzekutimin e stërvitjes fushore” Defender-Europe’23”, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, njëherësh Komandante Supreme, vizitoi Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së në Kazermën” Adem Jashari” në Prishtinë, ku u prit nga Komandanti gjenerallejtënant Bashkim Jashari me gjeneralë dhe oficerë të FSK-së.

Sipas njoftimit për media thuhet se Osmani u njoftua nga gjeneral Jashari dhe stafi i tij me zhvillimet aktuale në FSK dhe aktivitetet në proces, me theks të veçantë në përgatitjet finale para ekzekutimit të stërvitjes fushore të forcave amerikane me forcat tjera partnere “Defender –Europe’23”.

Nga ana e saj, Presidentja Osmani, përgëzoi FSK-në, për procesin e suksesshëm të planifikimit dhe përgatitjeve të duhura për Stërvitjen “Defender-Europe’23”.

“Pjesëmarrja e mbi 1300 trupave të FSK-së në stërvitjen fushore “Defender- Europe’23”, përkrah forcave amerikane dhe aleatëve tjerë, si dhe statusi i Republikës së Kosovës në cilësi të vendit pritës, konfirmon besimin e fuqishëm të partnerëve tanë strategjik në profesionalizmin e FSK-së, si dhe besimin në vendin dhe popullin tonë në mbrojtjen e vlerave euroatlantike të lirisë dhe paqes rajonale e globale”, tha Osmani.

Në cilësi të Komandantes Supreme të FSK-së, Osmani shprehu mbështetjen e plotë për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së, si dhe mbarëvajtjen e Stërvitjes, si një ndër ngjarjet më të rëndësishme jo vetëm për FSK-në, por edhe për Republikën e Kosovës dhe vizionin euroatlantik. /Telegrafi/

 

Exit mobile version