Vjosa Osmani nuk e hedh poshtë mundësinë që pas konfirmimit të Kadri Veselit në krye të PDK-së Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Një situatë e tillë, sipas saj, nuk do të jetë e favorshme për LDK-në.
Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, thotë se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) edhe në të kaluarën është dëshmuar se nuk i respekton marrëveshjet. Prandaj, sipas saj, pas zgjedhjes së Hashim Thaçit president dhe pasi që Kadri Veseli të konfirmohet kryetar i partisë më të madhe në vend, Kosova mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Këto komente deputetja Osmani i ka bërë gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke shtuar se nëse shkohet në zgjedhje partia e saj do të ndodhet para një situate të pafavorshme.
Ajo ka folur edhe për zgjedhjen e Hashim Thaçit në krye të shtetit, kur nuk ishte e pranishme në seancë.
“Vullneti i deputetëve të LDK-së u tregua në rundin e parë, kur Thaçi mori vetëm 50 vota. Por ndryshimi i votave në rundin e tretë, në 71, flet shumë se ka mundur të ketë presione”, është shprehur ajo.
Gjatë intervistës për “Zërin” deputetja Osmani flet edhe për zgjidhjen e krizës politike në vend, për raportet me kryeministrin, Isa Mustafa, dhe për mundësinë e rikandidimit për postin e kryetares së LDK-së. /Zëri/