Ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani sot ka publikuar pamje të flamurit dardan teksa valonte bashkë me flamurin e Kosovës dhe atë të BE-së, në objektin ku gjendet Kuvendi i Kosovës dhe Presidenca.
Bekim Kupina, këshilltari i u.d të presidentes, Vjosa Osmani, në një prononcim për Telegrafin ka shpjeguar se simbolet janë përdorur nga presidentët Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu dhe Atifete Jahjaga dhe të njëjtat janë hequr nga përdorimi nga presidenti paraprak dhe atë pa asnjë vendim apo bazë ligjore.
Sipas tij, për këtë arsye u.d. Presidentja, Vjosa Osmani ka marrë vendim për përdorimin e simboleve të njëjta, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Ndaj, vendimi është marrë në përputhje me nenin 1, paragrafi 2, të Ligjit nr.03/L/094, për Presidentin e Republikës së Kosovës. Vendimi i është marrë me qëllim që të harmonizohet çdo akt që del nga Presidenca ta ketë stemën, siç potencohet në ligj”, ka thënë Kupina.
Ndërkaq, sipas tij, në vitin 2000, presidenti Rugova kishte vendosur që këto të jenë simbole presidenciale. “Në të shkruan qartë: stema/vula e presidentit të Kosovës. Por, këto as nuk kanë qenë e as nuk janë simbole partiake”, tha ai.
Ai më tej bëri të ditur se të gjitha shtetet kanë vulë, stemë dhe flamur presidencial, siç mund të dëshmohet prej shteteve të rajonit e deri në SHBA. /Telegrafi/