Mesditën e së mërkurës është ndarë nga jeta regjisorja e njohur kosovare, Burbuqe Berisha.
Filmbërësja e cila prej vitesh ishte në dializë, ndërroi jetë papritmas dhe u transportua me ambulancë nga objekti i MKRS-së për në QKUK, ku edh u konstatua vdekja e saj.
Berisha u nda nga jeta me një bagazh të suksesshëm artistik të lënë pas vetes.
Figura të shumta publike kanë shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të regjisores së njohur, e cila për një kohë ka shërbyer si drejtoreshë e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i dedikoi një status regjisores së ndjerë, duke shkruar me shqetësim pranoi mesazhin për vdekjen e saj.
“Me pikëllim të thellë e mora lajmin për ndarjen nga jeta të regjisores Burbuqe Berisha. Vdekja e hershme e Buqes, sikur njihet ndër qarqet artistike, është humbje e madhe për artin, kulturën dhe kinematografinë e Kosovës. Ajo përfaqëson një brez krijuesish, të cilët u formuan në kohë rezistence dhe e zhvilluan krijimtarinë e tyre krahas saj, duke e shndërruar artin në rezistencë e dëshmi. Puna e saj prej regjisoreje në Teatrin Kombëtar, në teatrin “Faruk Begolli”, por edhe në teatro të tjera, mbetet vulë e fuqishme në zhvillimin e teatrit, por edhe të jetës kulturore përgjithësisht. Krahas punës në teatër, Buqja ka dhënë kontribut të theksuar në edukimin e brezave të rinj, duke qenë pedagoge e respektuar. Ndarja e saj nga jeta do të lërë zbrazëti të madhe në jetën tonë publike. I përjetshëm qoftë kujtimi për të”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ngushëllime për vdekjen e Berishës kanë shprehur edhe emra të njohur nga komuniteti artistik. /Telegrafi/