Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani tha sot ndihet e nderuar që, në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës, institucionit më të lartë përfaqësues në vend, t’iu drejtohet Forcave të Sigurisë së Kosovës, që janë sinonim i shtetësisë, mbrojtjes së sovranitetit dhe paprekshmërisë së territorit të Republikës.
Osmani tha se 22 vjet më parë në Prekaz familja Jashari po luftonte për të mbrojtur pragun e shtëpisë, familjen, Prekazin dhe gjithë Kosovën, kundër një regjimi shfarosës, duke dhënë shembullin e rrallë në historinë e një familjeje, e cila bëri sakrificën sublime të vetëflijimit për atdhe, që ne ta gëzojmë sot lirinë dhe pavarësinë.
“Andaj, sot, në shënim dhe nderim të Epopesë së UÇK-së, nga kazerma që e mban emrin e komandantit Adem Jashari, ta kujtojmë me dhembje, por edhe me krenari Adem Jasharin, Hamëz e Shaban Jasharin, familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët e rënë për lirinë e Kosovës, invalidët e luftës, që dhanë gjymtyrët e trupit për më të shtrenjtën liri”, tha ajo.
Osmani tha se çdo i ri ose e re që ka ëndërr jetësore uniformën ushtarake dhe shërbimin ndaj atdheut, në Ushtrinë e Kosovës, nuk mund të gjejë pikë më të fortë referuese e frymëzuese për sakrificë ndaj atdheut, sesa personalitetin e Adem Jasharit dhe të familjes së tij.
“Me heroizmin e tij, që kulmoi me datën 5, 6 dhe 7 mars të vitin 1998, ai krijoi solidaritet të jashtëzakonshëm shoqëror, u shndërrua në frymëzim për të gjithë të rinjtë e Kosovës, duke e ngjallur frymën e kryengritjes. Ai u shndërrua në shembull të sakrificës, të cilin e ndoqën shumë të rinj e të reja , të cilët u flijuan për Kosovën”, tha ajo.
“Ju gëzoni respektin dhe besimin qytetar për rolin dhe angazhimin tuaj, për përgatitjen dhe aftësimin e lartë profesional që posedoni, por mbi të gjitha, ky vlerësim i tillë në sytë e qytetarit të Kosovës, është sepse ata tek Ju shohin garancën dhe amanetin e Adem Jasharit dhe të bijve e bijave më të mirë të këtij vendi, të cilët na e lanë trashëgim vendin dhe na obligojnë që të mos lejojmë që asnjë pëllëmbë e territorit të Kosovës të preket. Qytetarët në Ju dhe në aleancën e hershme dhe të përhershme me shtetet mike të Kosovës shohin garancën se edhe eshtrat e Heroit Kombëtar Isa Boletini në Boletin, në veri të vendit dhe kulla e Tij janë të pa paprekshme dhe të pacenueshme”, tha kryetarja e Kuvendit të Kosovës.
Kryeparlamentarja tha se si komb asnjëherë nuk kemi pasur synime ndaj të tjerëve, qëllimi dhe misioni i vetëm ka qenë dhe mbetet mbrojtja e atdheut tonë.
“Adem Jashari, të cilin ne e kujtojmë sot, e dha shembullin se si mbrohet toka e këtij vendi, se si çdo cep i kësaj toke është i shenjtë dhe se si luftohet për të. Adem Jashari e mbrojti pragun e shtëpisë së tij, e të shtëpisë së përbashkët, Kosovës. Kësisoj, ai u shndërrua në simbol të rezistencës e në simbol të ushtarakut të përkushtuar, i cili nuk rresht së punuari për ta mbrojtur atdheun. Ai e zgjodhi sakrificën sublime, siç do ta zgjedhtë secili ushtarak i ndershëm kur cenohet integriteti i vendit dhe kështu dëshmoi se liria është tepër e çmueshme dhe se sakrifica, përfshirë edhe atë më sublimen, është e pamatshme krahasuar me të”, u shpreh Osmani.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës më tej tha se forcat tona do të zhvillohen edhe më tej si forcë ushtarake profesionale dhe ndërvepruese me forcat e NATO-s. “Anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i Republikës sonë për të cilin do të angazhohemi me gjithë potencialin tonë”, tha ajo. /Telegrafi/