Telegrafi

Osmani uron fillimin e vitit të ri shkollor: Shkolla është vendi ku formësohen ëndrrat dhe zhvillohen talentet

Sot, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2024/2025, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dërguar një mesazh urimi për të gjithë nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit.

Në urimin e saj, Osmani theksoi rëndësinë e kësaj dite të veçantë për të gjithë, duke nënvizuar se është momenti kur oborret e shkollave “gumëzhijnë nga zërat e gëzuar të nxënësve” që rikthehen nga pushimet verore.

Presidentja vuri në pah entuziazmin dhe energjinë që ndihen në ditën e parë të shkollës, duke e përshkruar atë si “dita kur formësohen ëndrrat, zhvillohen talentet dhe ngriten themelet për një të ardhme më të mirë.”

Ajo gjithashtu theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët për krijimin e një mjedisi të sigurt dhe mbështetës për nxënësit dhe mësimdhënësit, duke e cilësuar shkollën si “investimi më i rëndësishëm për çdo shoqëri që e do përparimin dhe zhvillimin.”

Në fund, Osmani uroi nxënësit dhe mësimdhënësit për një vit të mbarë shkollor, duke i inkurajuar ata që të vazhdojnë të frymëzojnë dhe të përkushtohen ndaj arsimit.

“Urime për fillimin e vitit të ri shkollor! Qoftë ky vit një udhëtim i mbushur me suksese të panumërta, si dhe mësime të vlefshme që do t’ju udhëheqin gjatë gjithë jetës!” përfundoi ajo. /Telegrafi/