Site icon Telegrafi

Osmani udhëton për në Hungari, përfaqëson Kosovën në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian

Presidentja, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Hungari ku do ta përfaqësojë Republikën e Kosovës në samitin e pestë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

Sipas njoftimit për media, takimi i radhës i Komunitetit Politik Evropian do të mbledhë liderë nga 47 shtete nga i gjithë kontinenti, në Budapest.

“Në këtë Samit, Presidentja Osmani bashkë me liderët e tjerë do të diskutojnë mbi sfidat e sigurisë në Evropë, të shkaktuara nga lufta në Ukrainë, përshkallëzimin e krizës në Lindjen e Mesme, sfidat e migracionit dhe ato ekonomike.

Osmani do të marrë pjesë në dy sesionet plenare të EPC-së, si dhe do të mbajë dy fjalime, njërin në seancë plenare dhe tjetrin në tryezën punuese për sigurinë ekonomike”, thuhet në njoftim.

Në kuadër të Samitit, Osmani do të zhvillojë takime bilaterale me liderë të tjerë evropianë.

Gjatë qëndrimit në Budapest, presidentja pritet të zhvillojë një takim edhe me mërgatën shqiptare në Hungari.

“Komuniteti Politik Evropian është një platformë për liderët evropianë për të diskutuar çështjet kyçe me të cilat përballet kontinenti, nga siguria dhe migrimi te stabiliteti ekonomik dhe mjedisi. E nisur në vitin 2022, EPC-ja synon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike në të gjithë Evropën, të ofrojë zgjidhje për sfidat e përbashkëta dhe ta thellojë bashkëpunimin midis vendeve të BE-së dhe jashtë saj”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version