Site icon Telegrafi

Osmani: Turqia, aleati që nuk na ktheu shpinën kurrë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është pritur me nderime të larta nga presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Presidentja e vendit, në një konferencë për media pas takimit  tha që Kosova është interesuar që të vazhdojë të mbajë marrëdhëniet e mira me Turqinë.

Osmani ka vlerësuar rolin e Erdoganit në mbështetje të Kosovës dhe ndihmën që Turqia i ka dhënë Kosovës për njohjet e reja.

“Kosova duhet të anëtarësohet në NATO, ku Turqia ka rol të rëndësishëm dhe e falënderoj presidentin Erdogan për punën në këtë drejtim. Në kuadër të NATO-s Turqia mund të bëjë shumë duke i dhënë përkrahje Kosovës”, ka thënë ajo.

Lexo po ashtu Erdogan mbështet anëtarësimin e Kosovës në NATO

Presidentja e vendit ka thënë se për marrëdhëniet e mira mes vendeve rol të rëndësishëm kanë pasur shqiptarët e Turqisë dhe komuniteti turk në Kosovë.

Presidentja e vendit thotë se Turqia është ndër aleatët që asnjëherë nuk e ka lënë vetëm Kosovës.

“Ndër aleatët që kurrë nuk na ka kthyer shpinën që nga çlirimi e deri më sot ka qenë Republika e Turqisë”, tha Osmani, përcjell Telegrafi.

“Të jeni të sigurt se populli i Kosovës është ai që ju respekton për gjithçka që keni bërë për ne”, deklaroi Osmani.

Osmani ka thënë se vetëm njohja reciproke me Serbinë garanton paqe dhe stabilitet në rajon.

Sipas saj, Serbia po bën obstruksione në proces./Telegrafi/

Exit mobile version