Telegrafi

Osmani: Tony Blair ka qenë dhe mbetet hero, së bashku me NATO-n na shpëtuan nga shfarosja

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ish-kryeministrin britanik Tony Blair.

Pas takimit, dyshja kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media, transmeton Telegrafi.

Presidentja në konferencën për media tha se janë të nderuar që Kosova ka një mik si Tony Blair, dhe se populli e vlerëson dhe e çmon për kontributin e dhënë për lirinë e vendit.

“ 25 vite më pas, ne ju themi faleminderit që përkundër sfidave ju keni orientuar kompasin e historisë në anën e mbrojtjes së vlerave që kanë përcaktuar kapitujt më të lavdishme të historisë njerëzore. Ju falënderoj përzemërsisht që jeni këtu, në mënyrë që ta shihni dhe ju mirënjohjen e qytetarëve që kanë për ju. Në vitin 1999 roli juaj ishte vendimtar, sikurse atëherë që ishit hero, edhe sot jeni heroi i paqes për vendimin e drejt të asaj kohe dhe gjithë kësaj kohe që keni mbështetur Kosovën”, tha presidentja.

Tutje, ajo pohoi se vendimi për bombardimet e NATO-s ka qenë i drejtë, pasi në pyetje ishte ekzistenca e një populli.

“Më forcat aleate të NATO-s ju na shpëtuat nga shfarosja. Kosova sot është një nga trashëgimitë tua…Shumë fëmijë të asaj kohe mbajnë emrin tuaj, ata janë dëshmi që sa shumë gjurmë keni lënë te ne”, u shpreh mes tjerash ajo.

Presidentja mes tjerash tha se ish kryeministri Tony Blair ka qenë hero dhe mbetet hero, pasi vendimi që ka marrë ka qenë i drejtë.

Sot shënohet 25-vjetori i çlirimit të Kosovës, ku janë planfikuar disa aktivitete./Telegrafi/