Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim togerin Ylli Dalladakun, i cili ka përfunduar me sukses njërin nga kurset më sfiduese në Ushtrinë Amerikane, “Ranger Course”.
Osmani, potencoi se përgatitja e tij shembullore, e në anën tjetër përsosmëria e kurseve ushtarake amerikane, rezultuan me suksesin e jashtëzakonshëm të Yllit, transmeton Klankosova.tv.
“Toger Ylli Dalladaku është shembull i rezultateve që arrihen kur ka punë e përkushtim si dhe aleatë të fuqishëm”, shkroi Osmani.
“Në njërën anë, përgatitja e tij shembullore, e në anën tjetër përsosmëria e kurseve ushtarake amerikane, rezultuan me suksesin e jashtëzakonshëm të Yllit, e nëpërmjet tij edhe të Kosovës”.
“I suksesshëm në WestPoint, i suksesshëm në kursin bazik të oficerit të këmbësorisë në SHBA dhe i suksesshëm në përfundimin e shkollës ‘Ranger’ që është kursi më sfidues në ushtrinë amerikane. Suksese Ylli! E gjithë Kosova është krenare me ty!”, ka shkruar Osmani.
Dalladakun, i cili ka mbaruar studimet në akademinë ushtarake WestPoint, e ka pritur një ditë më parë edhe ambasadori amerikan Jeff Hovenier.
“Ishte kënaqësi të takoheshim me të diplomuarin e WestPoint, Ylli Dalladakun, pjesëtari i parë i FSK-së që kaloi shkollën e ushtrisë amerikane “Ranger”- një nga kurset ushtarake më rigoroze”, ka thënë Hovenier. /Telegrafi/