Site icon Telegrafi

Osmani thotë se nuk është ftuar në takimin e Kryesisë së LDK-së

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë sot pas takimit me kryeministrin në detyrë, Albin Kurtin lidhur me situatën rreth pandemisë COVID-19 se nuk është e informuar me përpjekjet e Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e një qeverie të re.

Ajo tha se kjo nuk është asgjë e re sepse ka një kohë të gjatë që nuk është ftuar në takime dhe konsultime.

“Jam plotësisht e painformuar, sapo dëgjova se është edhe një takim tjetër lidhur me këto përpjeke por që unë nuk jam ftuar,… Kjo nuk është asgjë e re sepse ka një kohë të gjatë edhe para se të votohej mocioni, që në shumë takime nuk jam ftuar e as konsultuar, kështu që besoj edhe ju mund të keni më shumë informata se unë në këtë rast…Dëgjova se sot qenka një takim në LDK dhe se do të ndërmerren disa vendime rreth hapave të mëtutjeshëm por se nuk jam ftuar dhe nuk kam informacione”, tha Osmani.

Ndryshe, sot është raportuar në media për një mbledhje të Kryesisë së LDK-së lidhur me hapat për formimin e qeverisë së re.

Edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi një ditë më parë ka thënë se gjatë javës do të ndërmerr veprime për formimin e qeverisë së re.

“Javën tjetër unë do të ndërmarr hapat e fundit kushtetues për të mundësuar formimin e një Qeverie të re me një legjitimitet të plotë nga Parlamenti, i aftë për të luftuar # COVID19 dhe për t’i shërbyer popullit. Tarifat dhe reciprociteti duhet të bien për të forcuar mbështetjen e SHBA dhe BE për Kosovën”, ka thënë Thaçi. /Telegrafi/

 

 

 

 

 

 

Exit mobile version