Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti të mërkurën në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu. me të cilin ka diskutuar çështjet e sigurisë dhe rëndësinë e koordinimit të rregullt me partnerët ndërkombëtarë për të adresuar sfidat në këtë fushë.
Gjatë takimit, presidentja Osmani ritheksoi se masat e BE-së që janë në fuqi janë një prej padrejtësive të mëdha që ndikon negativisht në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës.
“Ndërlidhur me zhvillimet në Dialog, presidentja Osmani ritheksoi se mbajtja në fuqi e masave të BE-së është një prej padrejtësive të mëdha e cila mbi të gjitha dëmton drejtpërdrejt mirëqenien e të gjithë qytetarëve në vend”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, presidentja Osmani dhe ambasadori De Riu diskutuan mbi raportet bilaterale mes Kosovës dhe Italisë, duke rikonfirmuar përkushtimin për avancimin e mëtejshëm të tyre.
U theksua rëndësia e vizitave bilaterale dhe shkëmbimeve të rregullta në mes të institucioneve të dy vendeve për të fuqizuar bashkëpunimin në fusha të interesit të përbashkët. /Telegrafi/