Telegrafi

Osmani: Thaçi president, vula e dëmtimit të LDK-së

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë dhënë për gazetën “Zëri”, ka thënë se zgjedhja e Hashim Thaçit president është vula e dështimit të LDK-së. Sipas saj, edhe koalicioni PDK-LDK ka qenë shumë i dëmshëm.

“Qysh nga dita kur është vendosur për të lidhur koalicion me PDK-në, unë e kam shprehur qartë vendimin tim, qoftë në Kryesinë e LDK-së, qoftë në Këshillin e Përgjithshëm, pjesë e të cilave në atë kohë isha dhe më nuk jam. Përfundimisht në Kuvend kur është zgjedhur Qeveria, kur është zgjedhur kryetari i Kuvendit dhe ka qenë krejtësisht rrjedhë normale të veprojë në bazë të atyre parimeve që kam mbrojtur nga fillimi. Unë e kam thënë qysh atëherë dhe vazhdoj ta them se ky koalicion në tërësi, por edhe pjesë të kësaj marrëveshjeje, sidomos kjo me zgjedhjen e Thaçit president mendoj që e kanë dëmtuar shumë pasqyrën që LDK-ja po e krijon tek elektorati i saj. Ka qenë i dëmshëm koalicioni si i tillë dhe vula përfundimtare i është dhënë me zgjedhjen e Thaçit president. Sa i përket asaj se si e vlerësoj qëndrimin në sallë të disa deputetëve që kanë kundërshtuar zgjedhjen e Thaçit, kam biseduar me shumicën prej tyre dhe kam pasur njohuri të plotë se kush do të rrijë, për çfarë arsye do të rrijë. Ka prej atyre që kanë qëndruar në sallë dhe kanë votuar kundër, ka prej atyre që kanë qëndruar po s’kanë marrë pjesë në votim, pesë prej nesh nuk kemi qëndruar në sallë fare që kemi menduar se mënyra më e mirë e kundërshtimit është pikërisht mospjesëmarrja në seancë, duke tentuar që të pamundësohet kuorumi. Por vullneti i vërtetë i deputetëve të LDK-së, në bazë të ndërgjegjes është parë në raundin e parë të zgjedhjes së Thaçit president”, ka thënë ajo.