Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar pas takimit që ka pasur me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev.
Osmani ka thënë se Bullgaria gjithmonë ka dhënë kontribut në ndërtimin e shtetit të Kosovës, transmeton Telegrafi.
“Që nga viti 1999, e deri më tani Bullgaria ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin e paqes dhe ndërtimin e shtetit tonë. Njohja e pavarësisë, përkrahja e Kosovës në Gjykatën e Drejtësisë, në organizata ndërkombëtare etj”, tha Osmani.
Presidentja deklaroi se vazhdojnë të llogarisin në përkrahjen e Bullgarisë.
“Duke ditur sfidat e sigurisë që po kalon rajoni ynë, është ë rëndësishme Kosova të bëjë hapa drejt anëtarësimit në NATO. Kemi aplikuar në procesin e anëtarësimit në BE. Çdo hezitim do të krijonte boshllëk akterëve dashakeqës ta destabilizojnë rajonin”, pohoi ndër tjera ajo.
Osmani tha se Kosova si vend demokratik, si një vend që ndan vlerat e përbashkëta, mbetet e palëkundur që të krijojë marrëdhënie të mira fqinjësore.
“Raporti me Bullgarinë ka qenë i një rëndësie të veçantë, do të krijojmë mundësi të reja. Do të hapim kapituj të ri të bashkëpunimit, ne e shohim Bullgarinë si shtet mik, aleat, jemi të gatshëm për bashkëpunime”, theksoi ndër tjera presidentja./Telegrafi/