Site icon Telegrafi

Osmani takon përfaqësueset e organizatës “Thirrjet e Nënave”

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani së bashku me nënkryetaren, Arbërie Nagavci kanë takuar sot përfaqësueset e organizatës “Thirrjet e Nënave”.

Osmani përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ato nuk identifikoheshin me atë se kush janë, por me atë se kush ju mungon.

“Njëherë viktima të privimit nga më të dashurit e tyre, e njëherë viktima të barrës së papërballueshme që kanë mbi supe për të sjellë drejtësinë në vend për ta”, ka shkruar Osmani.

Postimi i plotë:

Sot, bashkë me nënkryetaren e Kuvendit, Arbërien, takuam përfaqësueset e organizatës “Thirrjet e Nënave.” Kur morën të prezentohen, ato s’identifikoheshin me atë se kush janë, por me ate se kush ju mungon. Në njërën anë, njëra s’kishte djalin; një tjetër s’kishte burrin, dy djemtë, dhe tre kunetët. Tjetra ishte pa dy djemtë; e katërta s’kishte burrin dhe kunetët. Në anën time tjetër, njëra kishte humbur burrin dhe dy djemë; tjetra burrin.
Privimi nga afërsia fizike me më të dashurit e tyre i kishte afruar shpirtërisht më afër tyre. Ato kishin pushuar të ekzistonin si njerëz të zakonshëm me ëndrra dhe frustrime; tash ndiheshin veç si mjet për të sjellë drejtësinë në vend për ta. Dy herë viktima, mendova. Njëherë viktima të privimit nga më të dashurit e tyre, e njëherë viktima të barrës së papërballueshme që kanë mbi supe për të sjellë drejtësinë në vend për ta. Dhimbjen për të dashurit do ta kenë gjithmonë, por nëse ne ua heqim barrën e përgjegjësisë për vënie të drejtësisë, ato do të ndihen më të lehtësuara. Ne si institucione duhet t’ua heqim këtë barrë. Ua kemi borxh. /Telegrafi/

Exit mobile version