Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Shqipërisë, Qemal Minxhozi.
Pas këtij takimi, kryeparlamentarja Osmani para mediave tha se vizitën e parë jashtë shtetit do ta realizojë në Shqipëri, përderisa falënderoi ambasadorin Minxhozi për përkrahje.
“Pas një bashkëpunimi të gjatë kishim mundësinë që të diskutojmë për bashkëpunimin ekonomik e deri te avancimi i diplomacive ndërkombëtare”, tha Osmani.
Ndër të tjerash ambasadori i Shqipërisë foli për shkëmbimet e bashkëpunimeve ndërmjet dy vendeve për përmirësimin e kuadrit ligjor.
Osmani po ashtu do të takohet me ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott si dhe në orët e pasdites do ta takojë përfaqësuesen e Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalyia Apostolova. /Telegrafi/