Telegrafi

Osmani takon ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias, kërkon njohjen formale të shtetit të Kosovës

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani gjatë takimit që pati me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias ka diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi dhe procesin e integrimit evropian.

Sipas një njoftimi për media, Osmani ka falënderuar Greqinë për mbështetjen, duke shpresuar që ajo të konkretizohet me njohjen formale të shtetit të Kosovës.

Në njoftim thuhet se në takimin Osmani-Dendias u diskutua për bashkëpunimin bilateral ndërmjet të të dy vendeve, me fokus të posaçëm në sferën e ekonomisë, shëndetësisë dhe arsimit.

Po ashtu u diskutua edhe për zhvillimet në fushën e dialogut dhe procesin e integrimit evropian, ndërsa falënderoi Greqinë për mbështetje në procesin e liberalizimit të vizave.

“Kuvendi i Kosovës ka përcaktuar vijat e kuqe në raport me dialogun me Serbinë”, ka thënë Osmani.

Siç thuhet tutje në njoftim, të dy bashkëbiseduesit folën edhe për situatën me menaxhimin e pandemisë, efekteve të saj si dhe vështirësitë ekonomike.

Më tej, kryetarja e Kuvendit ka shfaqur interesimin për zhvillimin e bashkëpunimit ndër parlamentar dhe në këtë kontekst e ka njoftuar ministrin grek për konstituimin e Grupit të miqësisë me Greqinë. /Telegrafi/