Në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një takim me Gjeneralin Christopher Cavoli, Komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropë (SACEUR) në NATO.
Në njoftimin e presidentes në Facebook, thuhet se gjatë takimit kanë diskutuar mbi rolin e pazëvendësueshëm të NATO-s në Kosovë gjatë 23 viteve të fundit në mbrojtje të sigurisë dhe stabilitetit.
“Në këtë kohë përcaktuese për kontinentin evropian, riafirmova përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për një bashkëpunim të ngushtë me aleancën, duke kontribuar aktivisht në sigurinë e rajonit dhe më gjerë”, ka shkruar Osmani, transmeton Telegrafi.
Gjatë qëndrimit në Gjermani, presidentja Osmani në margjinat e Konferencës së Sigurisë, që po mbahet në qytetin Mynih, po zhvillon takime të shumta.
Osmani sot ka takuar delegacionin e kongresistëve amerikanë.
“Mbështetja e Kongresit Amerikan ka luajtur një rol kyç në shkrimin e historisë së Kosovës së lirë, të pavarur dhe sovrane. Kjo mbështetje vazhdon edhe sot, ndërsa punojmë së bashku për të adresuar sfidat e përbashkëta dhe për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi që thellojnë dhe fuqizojnë më tej aleancën tonë historike”, ka shkruar presidentja.
Osmani takoi sot edhe deputetët Annette Widmann-Mauz dhe Jurgen Hardt nga radhët e CDU-së.
Presidentja Osmani ka shkruar se bashkëpunimi me Gjermaninë mbetet një nga prioritetet kryesore, e CDU si parti ka kontribuar ndër vite në kultivimin e marrëdhënieve tona bilaterale. /Telegrafi/