Presidentja Osmani ka pritur sot në takim të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, me ç’rast ka theksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
Sipas njoftimit nga Presidenca, në takim është diskutuar edhe për zbatimin e marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, si dhe për zhvillimet e fundit në vend dhe në rajon, transmeton Telegrafi.
I dërguari i kancelarit gjerman për Ballkanin Perëndimor, ka diskutuar të enjten me gazetarë në Prishtinë.
Për Asociacionin dhe mundësinë që mos themelimi i tij të bëhet pengesë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, diplomati gjerman tha se shteti i tij ende nuk ka një qëndrim.
“Qeveria gjermane nuk ka ende qëndrim për raportin e Bokayanis, është procedura tutje e votimit të Këshillit dhe pastaj do t’i marrim të gjitha në konsideratë. Por, ju e thatë ka lidhje dhe Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe është përmendur si çështje dhe ne do ta konsiderojmë atë, por Qeveria e Gjermanisë ende nuk ka pozicion për këtë”, ka thënë Sarrazin.
Ai tha se e konsideron tani kohën e duhur që të vazhdohen tutje hapat për krijimin e Asociacionit.
“Të gjithë e dinë se shumë vende mos johëse brenda BE-së shikojnë kah Asociacioni i komunave me shumicë Serbe, por unë nuk mund t’ju them se çfarë ato do të bëjnë nëse kjo kryhet ose jo sepse nuk është puna ime. Gjermania njeh Kosovën por edhe ne jemi të bindur se kjo është gjëja e duhur të bëhet, veçanërisht tani dhe të shkohet tutje. Mund të llogarisni në Gjermaninë, ne kurrë nuk do të përkrahim ndonjë formë të Asociacionit që minon integritetin e Kosovës. Por, moskrijimi i Asociacionit nuk çon drejt BE-së”, ka shtuar Sarrazin.
Gjatë vizitës në Kosovë Sarrazin ka zhvilluar takim me shoqërinë civile dhe Listën Serbe.
Ai do të zhvillojë takim edhe me kryeministrin Albin Kurti. /Telegrafi/