Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim ambasadorin turk në Kosovë, Çagri Sakar, i cili e ka përgëzuar për detyrën dhe i ka dëshiruar sukses në punën e mëtejme.
Sipas komunikatës nga Presidenca, të dy bashkëbiseduesit kanë vlerësuar raportet e mira ndërmjet të të dy shteteve, duke shfaqur shpresën se nën mandatin e Presidentes Osmani ato do të thellohen edhe më tej.
Presidentja Osmani ka falënderuar Turqinë për mbështetjen e deritashme, ka përmendur marrëdhëniet e mira tregtare ndërmjet të të dy shteteve dhe është angazhuar për hapjen e mundësive të reja të bashkëpunimit.
Është diskutuar edhe për menaxhimin me pandeminë dhe pasojave të saj, sidomos në sferën e ekonomisë. Presidentja Osmani ka theksuar se bashkë me Qeverinë e Kosovës po e bëjnë të pamundurën për t`i siguruar vaksinat për qytetarët e Kosovës në bashkëpunim edhe me vendet mike.