Telegrafi

Osmani takoi sekretarin Blinken, e falënderoi për angazhimin e tij për paqen dhe stabilitetin në rajon

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York, ku në margjinat e sesionit të 77-të të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, ka marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden.

Gjatë pritjes së mbrëmshme, të organizuar nga presidenti Biden, presidentja Osmani është takuar me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e fundit.

“E informova atë [sekretarin Blinken] për zhvillimet e fundit që nga takimi ynë i fundit dhe e falënderova për angazhimin e tij të vazhdueshëm për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë”, ka shkruar Osmani në Twitter, teksa shihet në foto bashkë me minsitren e Jashtme, Donika Gërvalla me sekretarin amerikan Blinken, transmeton Telegrafi.

Gjatë qëndrimit të saj në New York, presidentja Osmani po zhvillon takime me udhëheqës të shteteve të ndryshme, nga të cilët po kërkon thellimin e bashkëpunimit dhe përkrahjen për Kosovën. /Telegrafi/