Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është takuar sot me Presidentin e Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq, në kuadër të Procesit të Bërdo Brione që këtë vit po mbahet në Tivat të Malit të Zi.
“Takim gjithnjë përmbajtsor me Presidentin kroat Zoran Milanoviq. Mirënjohëse për mbështetjen e tij për një Kosovë të fortë, të sigurtë dhe të përkushtuar drejt së ardhmes euroatlantike”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Ky forum, që mbledh liderët e rajonit, ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Osmani do të pritet edhe nga nikoqiri i takimit, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, si dhe nga Presidentja e Sllovenisë Natasha Pirc Musar, vendet bashkëthemeluese të këtij procesi.
Gjatë takimit, Osmani pritet të mbajë një fjalim në sesionin kryesor të liderëve, ku do të theksojë përkushtimin e Kosovës për integrimin e plotë në institucionet euroatlantike, si dhe për paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në rajon.
Takimi vjetor do të fokusohet kryesisht në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe anëtarësimin e rajonit në këtë union.
Osmani gjithashtu do të realizojë takime dypalëshe me liderë të tjerë të pranishëm në këtë samit, duke përforcuar bashkëpunimin rajonal dhe përpjekjet e Kosovës për t’u integruar në BE dhe NATO. /Telegrafi/