Telegrafi

Osmani takoi presidenten e Sllovenisë në Mynih, flasin për dialogun Kosovë-Serbi

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me presidenten e Republikës së Sllovenisë, Natasha Pirc Musar me të cilën ka biseduar për dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas një njoftimit për media, Osmani takimin e parë bilateral me homologen e saj sllovene e zhvilloi gjatë Konferencës për Siguri i cili po mbahet ne Mynih.

Në njoftim thuhet se dy presidentet biseduan edhe për situatën gjeopolitike në Evropë, përfshirë luftën në Ukrainë dhe veprimet destabilizuese të Rusisë.

“Në takimin e parë bilateral me presidenten Pirc Musar, Presidentja Osmani e ka përgëzuar për marrjen e detyrës të së pares së shtetit slloven, ndërsa ka shprehur përkushtimin e plotë për të punuar ngushtë në vazhdimin e bashkëpunimit strategjik me Slloveninë edhe gjatë mandatit të saj.

Në takim u diskutua në lidhje me situatën gjeopolitike në Evropë, përfshirë luftën në Ukrainë dhe veprimet destabilizuese të Rusisë të cilat kanë tendencë edhe destabilizimin e rajonit përmes satelitit të Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

U diskutua edhe për zhvillimet e fundit në Dialog, si dhe zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë në Kosovë dhe rajon”, thuhet në njoftim.

Ndër të tjera, në njoftim bëhet e ditur se presidentja Pirc Musar e informoi Presidenten Osmani mbi prioritetet e saj presidenciale në politikën e jashtme, përfshirë vazhdimin e Samitit Bërdo-Brione. Në takim u rikonfirmua  përkushtimi për të vazhduar thellimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimin e ngushtë me Republikën e Kosovës. /Telegrafi/