Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës në Tajlandë është takuar me kryeministrin e Tajlandës, Prayout Chan-o-cha, me të cilin fokus të bisedës patën forcimin e marrëdhënieve ndërshtetërore.
Sipas njoftimit, Osmani, kryeministrit të Tajlandës i ka kërkuar përkrahjen në procesin e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Tutje në njoftim, bëhet e ditur se në takim me kryeministrin e Tajlandës, Osmani ka theksuar se Kosova e sheh këtë shtet si aleat në këtë pjesë të botës, ndaj është e interesuar që edhe me ndihmën e saj të ndërtojë marrëdhënie miqësore me shtetet e Azisë Juglindore.
Presidentja Osmani në këtë takim ka prezantuar mundësinë dhe potencialin që ofron Kosova për investitorë të jashtëm, duke përmendur popullsinë e re dhe të arsimuar si asetin kryesor shtetëror.
Tutje në njoftim thuhet se për ta lehtësuar bashkëpunimin ekonomik me këtë shtet, Osmani ka theksuar nevojën e marrëveshjes për mbrojtje të investimeve dhe atë për eliminimin e taksimit të dyfishtë.
“Në këtë kontekst, presidentja është angazhuar për rritjen e shkëmbimit të mallrave dhe lëvizjes së qytetarëve në mes të dy vendeve”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/