Site icon Telegrafi

Osmani: Kosova dhe Letonia dy shtete në frontin e parë të ruajtjes së demokracisë

Presidentja Vjosa Osmani, në margjinat e Konferencës për Sigurinë në Mynih, takoi Presidentin e Letonisë, Edgars Rinkeviçs.

Ajo tha se  Kosova dhe Letonia janë të paluhatura në angazhimin për siguri, paqe dhe vlerat që na bashkojnë.

Lexo po ashtu Osmani takon komandantin e Forcave Aleate për Evropë: Riafirmova përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me NATO-n

“Takim i shkëlqyer me Presidentin e Letonisë, Edgars Rinkeviçs në Konferencën e Sigurisë në Mynih. Si dy shtete në frontin e parë të ruajtjes së demokracisë, Kosova dhe Letonia janë të paluhatura në angazhimin për siguri, paqe dhe vlerat që na bashkojnë”, ka shkruar Osmani.

Ajo është shprehur mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur të Letonisë në rrugëtimin tonë euroatlantik.

Liderët e Kosovës i kanë vazhduar të shtunën takimet ndaras me zyrtarë të huaj në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Munih të Gjermanisë.

Presidentja Osmani ka zhvilluar një takim me Gjeneralin Christopher Cavoli, Komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropë (SACEUR) në NATO.

Në njoftimin e presidentes në Facebook, thuhet se gjatë takimit kanë diskutuar mbi rolin e pazëvendësueshëm të NATO-s në Kosovë gjatë 23 viteve të fundit në mbrojtje të sigurisë dhe stabilitetit.

Osmani gjithashtu në një postim në Facebook tha se ka zhvilluar një takim “jashtëzakonisht të përzemërt dhe të rëndësishëm” me delegacionin e kongresistëve amerikanë në ditën e dytë të konferencës në Munih.

Në një shkrim në Facebook të shtunën, Osmani tha se mbështetja e Kongresit Amerikan ka luajtur një rol kyç në shkrimin e historisë së Kosovës së lirë, të pavarur dhe sovrane.

“Kjo mbështetje vazhdon edhe sot, ndërsa punojmë së bashku për të adresuar sfidat e përbashkëta dhe për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi që thellojnë dhe fuqizojnë më tej aleancën tonë historike”, shkroi ajo.

Ajo nuk dha më shumë hollësi rreth asaj se çfarë është diskutuar në këtë takim.

Më vonë, Osmani njoftoi se u takua edhe me deputetët Annette Widmann-Mauz dhe Jürgen Hardt nga Unioni Kristiandemokrat (CDU). /Telegrafi/

Exit mobile version