Site icon Telegrafi

Osmani takoi homologun e saj kroat, temë diskutimi edhe situata në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në margjinat e procesit Bërdo-Brijuni u takua edhe me presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq. Ata diskutuan për situatën në veri të Kosovës dhe atë në rajon si dhe ritheksuan angazhimin për paqe e stabilitet.

Siç njoftoi Presidenca, Osmani theksoi se Kroacia është një ndër aleatët kyç të Kosovës në rajon dhe strukturat euroatlantike “teksa marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve janë ndërtuar mbi lidhje miqësie që ekzistojnë historikisht ndërmjet dy shteteve”.

Ajo shprehu mirënjohjen e saj për gjithë mbështetjen që Kroacia ka dhënë për fuqizimin e shtetit të Kosovës.

“Presidentja Osmani e informoi Presidentin Milanovic lidhur me sfidat e sigurisë në veri të vendit të cilat po shkaktohen nga strukturat ilegale që organizohen, paguhen dhe nxiten nga Serbia. Presidentja Osmani ritheksoi gjithashtu synimin e Kosovës për anëtarësim në BE, NATO si dhe në Këshillin e Evropës, ku për momentin është duke u trajtuar aplikacioni i Kosovës në kuadër të Asamblesë Parlamentare. Mbështetjen nga Kroacia ajo e vlerësoi si kyçe në të gjitha këto procese”, njoftoi Presidenca.

Takimi i të dy presidentëve në kuadër të Procesit Bërdo-Brijuni u përqendrua edhe në përkushtimin e Kosovës dhe Kroacisë për nxitjen e bashkëpunimit rajonal, adresimin e çështjeve jetike si integrimi evropian, perspektiva e të rinjve dhe tema të tjera të interesit të dyanshëm.

Osmani dhe Milanović, ndër të tjera në takim diskutuan dhe shprehën gatishmëri për ta rritur bashkëpunimin në fushën e politikës së jashtme, mbrojtjes, ekonomisë, si dhe në sfera të tjera./Telegrafi/

Exit mobile version