Site icon Telegrafi

Osmani takoi ambasadorin e Italisë, Nicola Orlando

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, priti në takim ambasadorin e Italisë në Kosovë, Nicola Orlando ku biseduan për shumë çështje të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në bashkëpunimin ndër parlamentar dhe menaxhimin e situatës me pandeminë COVID-19.

Sipas një njoftimi për media thuhet se Osmani ka theksuar se përvoja që do të sjellin mjekët italianë është shumë e vlefshme për institucionet shëndetësore.

“Osmani falënderoi Italinë për ndihmën dhënë Kosovës në menaxhimin e pandemisë, sidomos në ofrimin e pajisjeve mjekësore dhe, tash së fundi, me dërgimin e një ekipi të mjekëve të specializuar për luftimin e pandemisë. Ajo tha se çmon lart kontributin e vazhdueshëm të Republikës së Italisë në betejën të cilën Kosova dhe të institucioneve të saj po e zhvillojnë me pandeminë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, ajo shprehu bindjen se bashkëpunimi i mirë i deritanishëm mes dy parlamenteve do të vazhdojë.

Ajo shprehu po ashtu gatishmërinë e saj dhe të Kuvendit të Kosovës që të punojë ngushtë me Parlamentin italian për ta fuqizuar edhe më tej diplomacinë parlamentare.

Ambasadori Orlando, nga ana tjetër, theksoi se Kosova dhe Ballkani Perëndimor kanë vëmendjen e politikës së e jashtme të Italisë dhe se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe më tej, për ta lehtësuar rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së. /Telegrafi/

Exit mobile version