Telegrafi

Osmani takoi ambasadorë të shteteve evropiane, shprehu nevojën e heqjes së masave të BE-së ndaj Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorë të disa shteteve evropiane si dhe atë të EULEX-it, në krye me Ambasadorin e BE-së Thomas Szunyog, për të diskutuar koordinimin e agjendës ndërkombëtare, si dhe bashkërendimin me politikat e BE-së dhe me shtetet e tjera aleate për çështje të politikës së jashtme dhe sigurisë.

Sipas komunikatës së lëshuar nga Presidenca, Osmani gjatë takimit ka theksuar se Kosova vazhdon të jetë plotësisht e linjëzuar me politikat e BE-së në fushën e sigurisë dhe politikës së jashtme, përfshirë miratimin e sanksioneve ndaj Rusisë si dhe shteteve apo grupeve të tjera të cilat rrezikojnë sigurinë dhe paqen globale.

Tutje, Presidentja Osmani diskutoi edhe për nevojën e heqjes së masave ndaj Kosovës, të cilat më së shumti po godasin mirëqenien e qytetarëve të Kosovës, pa dallim, duke potencuar se Kosova tashmë i ka plotësuar të gjitha kushtet.

Në takim Ambasadorët prezent e njoftuan Presidenten edhe për përgatitjet që po bëhen për Samitin e Paqes për Ukrainën që do të mbahet në Zvicër, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/