Telegrafi

Osmani takohet në Zvicër me bashkatdhetarët: Mërgata jonë nuk shihet më vetëm si burim i remitencave

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani po qëndron në Zvicër me ftesë të të Parlamentit Zviceran, e cila me këtë rast është takuar me mërgimatrët tanë në këtë vend.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes ka vlerësuar lartë këtë pjesë të diasporës sipas së cilës është duke nxjerrë mjekë, juristë , shkencëtarë e profesionistë tjerë shumë të zotë.

Osmani, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se me mërgimtarët diskutuan për mënyrat e bashkëpunimit me Kosovën pasi, sipas saj, mërgata jonë nuk shihet më vetëm si burim i remitencave, por si burim i ideve, kompetencës dhe profesionalizmit, e për të cilat vlera vendi ynë ka nevojë tani më shumë se kurrë.

Postimi i plotë i Osmanit:

“Vizitën në Zvicër, ku po qëndroj me ftesë të Parlamentit zviceran, e fillova me një takim me mërgatën tonë, me ata që sado që tashmë në këtë vend kanë ndërtuar shtëpinë e familjet e tyre, mendjen e zemrën e mbajnë gjithmonë pranë Kosovës sonë të dashur.

Nuk e përshkruaj dot me fjalë se çfarë nderi, privilegji e krenarie është të jesh në mesin e juristëve, mjekëve, shkencëtarëve, studiuesve, ndërmarrësve, artistëve, arkitektëve e profestionistëve të fushave nga më të ndryshme të cilët po shkëlqejnë në profesionet që kanë përrzgjedhur e po japin kontribut të jashtëzakonshëm e përmbajtësor në shoqërinë zvicerane.

Kishim aq shumë për të folur, por natyrshëm, fokusin e mbajtëm tek diskutimi i mënyrave të bashkëpunimit ku mërgata jonë nuk shihet më vetëm si burim i remitencave, por si burim i ideve, kompetencës dhe profesionalizmit, e për të cilat vlera vendi ynë ka nevojë tani më shumë se kurrë.

Të lësh vendin tënd për të shkuar në një vend të huaj e të përballen me sakrifica të shumta e gjithë familja- nuk është aspak e lehtë. Por, mërgatë e dashur, ju na keni dëshmuar që sakrifica e puna e drejtë shpërblehet gjithmonë me të mirë.

Dashurinë e madhe e të pa kusht që ju keni për Kosovën, do t`a kthejmë shumë shpejt në partneritet strategjik e projekte e angazhim konkret.

Ju jam mirënjohëse secilit e secilës që pata kënaqësinë t’u takoj, e ndjesë të gjithë të tjerëve që për shkak të rregullave të pandemisë e kishim të pamundur t’ju përshëndesim”, ka shkruar Osmani.