Presidentja e Kosovës ka takuar në New York me sekretarin e shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinalin Parolin.
Presidenca njofton se gjatë takimit, presidentja Osmani shprehu përkushtimin e Republikës së Kosovës për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me Selinë e Shenjtë, transmeton Telegrafi.
“Ajo theksoi gjithashtu punën intensive me institucionet e Selisë së Shenjtë për hapjen e Misionit të Veçantë të Kosovës pranë Selisë së Shenjtë, duke e konsideruar këtë si një shembull të përkushtimit të Kosovës për forcimin e mëtejshëm të raporteve midis dy vendeve, si dhe për frymën e harmonisë ndërfetare që vendi ynë e mishëron me shekuj”, thuhet në njoftimin e bërë.
Tutje, në takim, presidentja Osmani ka theksuar edhe rëndësinë e njohjes nga Selia e Shenjtë, si hap të rëndësishëm drejt thellimit të raporteve ndërshtetërore, e cila po ashtu do të kontribuonte drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë në rajonin tonë.
Në takim me Kardinalin Parolin, Presidentja Osmani ka folur edhe ftesën për vizitën e Papës Françesku në Republikën e Kosovës, të cilën e ka diskutuar në takim me Papën vitin e kaluar./Telegrafi/