Telegrafi

Osmani takohet me ambasadorin slloven: Sllovenia mbështet liberalizimin e vizave për Kosovën

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në një takim ambasadorin slloven Bojan Bertoncelj.

Ai ka uruar zonjën Osmani për detyrën dhe për 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, në të njëjtën kohë, ka potencuar se politika e jashtme sllovene e ka në fokus Ballkanin Perëndimor.

“Ambasadori Bertoncelj e ka konsideruar fazë të re në politikën kosovare, kryesimin e Kuvendit nga ana e zonjës Osmani. Ai ka rikonfirmuar mbështetjen e Sllovenisë ndaj Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave dhe ka thënë se shteti slloven është për zhvillim dhe bashkëpunim rajonal”, thuhet në njoftimin e bërë për media nga Kuvendi i Kosovës.

Tutje në njoftim thuhet se Osmani, ka përmendur investimet sllovene në Kosovë dhe ka shtruar nevojën e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet të dy vendeve, posaçërisht në fushën e diplomacisë parlamentare.

Ajo e ka njoftuar ambasadorin slloven me krijimin e grupeve parlamentare​të miqësisë, njëri nga të cilët do të jetë ai me Slloveninë.

Duke e potencuar mbështetjen sllovene në shumë procese, Osmani ka kërkuar që kjo mbështetje të vazhdojë edhe në procesin e integrimit evropian./Telegrafi/