Telegrafi

Osmani takohet me ambasadorin e Gjermanisë, e falënderon për qëndrimin në lidhje me ndryshimin e kufijve

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.

Këtë takim e ka konfirmuar vetë deputetja e LDK-së, nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook.

Në këtë takim gjithashtu është diskutuar edhe për liberalizimin e vizave.

“Sot në Kuvend prita Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt. E falënderova për punën e tij të palodhshme dhe përkrahjen e qartë që dha Gjermania këto ditë për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës si dhe për qëndrimin e palëkundur të Gjermanisë për temën e ndryshimit të kufijve në mes të Kosovës e Serbisë”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka vlerësuar se Kosova është me fat, që e ka në përkrahje Gjermaninë.

“Kosova është me fat që në mbrojtje të shtetësisë së saj ka përkrah shtetin më të fuqishëm në BE – Gjermaninë dhe shtete të tjera demokratike që ishin me ne në çdo hap të ecjes sonë si shtet”, përfundon postimi në Facebook i Vjosa Osmanit. /Telegrafi/