Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun.
Osmani ka thënë se ka siguruar Abdixhikun se institucioni i Presidencës do të jetë çdoherë në shërbim të forcimit të bashkëpunimit dhe dialogut mes partive politike, me theks të veçantë për temat e interesit kombëtar, transmeton Telegrafi.
“Partitë opozitare kanë rol kyç në proceset e rëndësisë së veçantë për vendin. Prandaj, sot prita në takim kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun. E përgëzova atë për rolin konstruktiv që LDK luajti gjatë procesit të përmbylljes së formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 14 shkurtit. Sigurova z. Abdixhiku që institucioni i Presidencës do të jetë çdoherë në shërbim të forcimit të bashkëpunimit dhe dialogut mes partive politike, me theks të veçantë për temat e interesit kombëtar. Në këtë drejtim, mirëpres kontributin e të gjitha partive politike opozitare për çështjet që lidhen me interesin shtetëror dhe mirëqenien e qytetarëve”, ka deklaruar Osmani.
Presidentja ka njoftuar se me kreun e LDK-së janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet për temat që kërkojnë konsensus të gjerë politik dhe shoqëror. /Telegrafi/