Presidentja Vjosa Osmani ka takuar sot Delegatin Apostolik të Selisë së Shenjtë për Kosovën, nuncin Jean Marie Speich, me të cilin ka biseduar për raportet dhe mundësitë e bashkëpunimit të ardhshëm mes Kosovës dhe Vatikanit.
Osmani ka mirëpritur gatishmërinë e Selisë së Shenjtë që t’i ofrojë Kosovës prani të përhershme në Vatikan nëpërmjet Misionit të Posaçëm të Kosovës.
“Themelimi i misionit është rezultat i angazhimit tonë të përbashkët për afrimin e vendeve tona dhe thellimin e bashkëpunimit të përbashkët për paqe”, tha ajo.
Në mënyrë të veçantë presidentja falënderoi Speich për angazhimin e tij për përparimin e vazhdueshëm të raporteve mes Selisë së Shenjtë dhe Kosovës.
“Kosova ka traditë të gjatë të bashkëpunimit më Selinë e Shenjtë dhe ne jemi të përkushtuar që këtë traditë të mirë të bashkëpunimit ta thellojmë edhe më tej,” tha Osmani.
Ndërsa, Delegati Apostolik i Selisë së Shenjtë ka mirëpritur themelimin e Misionit të Kosovës në Vatikan si një hap të rëndësishëm për raportet mes dy vendeve.
Ndryshe, presidentja Osmani në janar të këtij viti ka dekretuar hapjen e Misionit të posaçëm të Kosovës në Vatikan.