Kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen masive në zgjedhjet e sotme parlamentare.
Në një konferencë për media, Osmani tha se fituesin do ta përcaktojnë votat me kusht edhe votat nga diaspora, transmeton Telegrafi.
“Dua të i falënderoj të gjithë qytetarët për pjekurinë politike të treguar gjatë procesit zgjedhor, për pjesëmarrjen masive në zgjedhje, e cila rezultojë me largimin përfundimtar të partive që deri tani kanë keq qeverisur Kosovën dhe me një fitore të madhe të opozitës. I falënderoj votuesit për besimin e dhënë LDK-së. Duhet të presim deri në numërimin e të gjitha votave dhe siç duket votat me kusht dhe votat e diasporës do të përcaktojnë fituesin”, ka thënë ajo.
Tutje Osmani ka thënë se do të respektojnë vullnetin e qytetarëve.
Kurse sa i përket koalicioneve, ajo bëri me dije se me PDK-në nuk do të bashkëpunojnë.
“Duhet të presim rezultatet përfundimtare, pasi të numërohen të gjitha votat do të flasim për koalicione, ne e kemi bërë të qartë se me PDK-në nuk do të bëjmë koalicione ndërsa për partitë tjera do të shikojmë”, ka thënë ajo.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se numri i votuesve në zgjedhjet e sotme parlamentare është 812 mijë e 49 votues apo 44.18 për qind./Telegrafi/