Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se s’mund të ketë paqe të qëndrueshme pa drejtësi për viktimat. Ajo ka thënë se është e pamundur të flitet për të ardhmen, nëse nuk kujtohet e kaluara.
Kështu është shprehur në një takim me drejtorin ekzekutiv të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, ka njoftuar Kuvendi i Kosovës.
“Është e pamundur të flasim për të ardhmen nëse nuk e kujtojmë të kaluarën”, ka thënë Osmani, duke vërë theksin në “1133 fëmijët e vrarë në luftën e fundit në Kosovë”.
“Ajo ka thënë se duhet bërë më shumë që e vërteta për këta fëmijë të depërtojë sa më shumë jashtë Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Blakaj ka njoftuar Osmanin me aktivitete te FDHK-së për dokumentin e krimeve të luftës. Në këtë kontekst, ka përmendur disa prej aktiviteteve, të cilat kanë për qëllim memorizimin e kujtimeve të luftës. Ai ka thënë se synim kryesor i kësaj organizate mbetet zyrtarizmi i të vërtetës për të kaluarën, duke potencuar se nuk mund të ketë pajtim pa e trajtuar të kaluarën dhe pa i njohur viktimat.