Telegrafi

Osmani shpreh ngushëllime për vdekjen e Mulliqit: Ai la gjurmë në fushën e gazetarisë, sferës akademike dhe në atë të dramaturgjisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të gazetarit, profesorit e dramaturgut, Haqif Mulliqi.

Osmani ka ngushëlluar familjen Mulliqi, komunitetin e gazetarëve dhe atë kulturor.

“Me dhimbje të thellë e pranuam lajmin për ndarjen e nga jeta të gazetarit, profesorit e dramaturgut, Haqif Mulliqi”, ka shkruar Presidenca në Facebook.

Lexo po ashtu Vdiq profesori dhe dramaturgu, Haqif Mulliqi

Osmani tutje është shprehur se Mulliqi ka lënë gjurmë jo vetëm në fushën e gazetarisë, sferës akademike, por edhe në atë të dramaturgjisë, ndaj veprat e tij ka thënë se janë testament për brezat e ardhshëm.

“Ju shpreh ngushëllime të sinqerta familjes, komunitetit kulturor dhe atij të gazetarëve! Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes. I përhershëm qoftë kujtimi për Haqif Mulliqin!”, ka përfunduar presidentja.

Haqif Mulliqi ka vdekur këtë të martë në moshën 63-vjeçare.

Ai ishte profesor në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin e Filologjisë në Departamentin e Gazetarisë si dhe në Fakultetin e Arteve.

Ai la pas vetes një krijimtari të gjerë në gazetari, publicistikë e dramaturgji. Gjithashtu, kontribut të jashtëzakonshëm, Mulliqi ka dhënë gjatë viteve 1998-99, në raportimin gjatë luftës në Kosovë. /Telegrafi/