Site icon Telegrafi

Osmani: Shën Nënë Tereza vlerat më të mira të kombit i shndërroi në vlera të gjithë njerëzimit

E shpërblyera me çmimin “Nobel për Paqe” po kujtohet si simbol i dashurisë, paqes dhe humanizmit. Në përvjetorin e lindjes së saj, e para e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se të gjithë duhet të ndjehen krenar për përfaqësimin e popullit shqiptar që ka bërë Gonxhja kudo në botë.

Në 111-vjetorin e lindjes së saj, figura tjera të politikës, artit dhe kulturës kanë marrë pjesë në akademinë e Ipeshkvisë së Kosovës për të shënuar ditëlindjen e Nënë Terezës.

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Gonxhja është simbol i dashurisë, paqes dhe humanizmit. Veç kësaj, ajo shtoi se ajo u shndërrua në simbol të përfaqësimit të popullit shqiptar duke kthyer vëmendjen e botës.

“Nënë Tereza paraqet njërin nga personalitetet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare të cilin populli ynë ia fali gjithë besimin. Ajo shpalosi vlerat më të mira të kombit të saj, dashurinë për njerëzit, përkushtimin ndaj vlerave njerëzore. Ne bashkëkombësit e saj jemi krenar që vlerat e kombit tonë i shndërroi në vlera të gjithë njerëzimit. Ne nuk duhet të mos reshtim së theksuari emrin e saj, mësimet e saj, personalitetin e saj të jashtëzakonshëm”, ka thënë ajo.

Më tej, Osmani ka thënë se të gjithë duhet të ndjehen krenar për atë që ka shfaqur kudo në botë Nënë Tereza, duke u zotuar se të varfrit kanë derën e hapur.

‘Si grua jam krenare që edhe vajzat në Kosovë do të mund të shohin shembullin e gruas shqiptare të quajtur Agnesa Bojaxhiu, e qetë por e mençur, e përkushtuar skajshmërisht ndaj njerëzve dhe e dashur për të gjithë. Ne duhet të mësojmë çdo ditë nga dashuria e saj për njerëzit. Tu gjendemi pranë të vuajturve, tu gjendemi pranë atyre që kanë më së shumti nevojë. Nuk mund t’ua mbyllim derën të varfërve. Dhe ne nuk do të mbyllim asnjëherë derën për të gjithë miqtë tanë. Sepse siç thoshte edhe presidenti historik ‘shtëpia jonë është edhe e mikut’, tha Osmani.

Ipeshkvi Dodë Gjergji tha se tani është koha që të ndërtohet vetja, e për këtë sipas tij, frymëzim duhet të jetë Nënë Tereza.

“Ne gjithë mburremi që ajo ka qenë shqiptare. Por të gjithë do t’ia kthejmë nderin nëse ne shqiptarët do të bëhemi si ajo. Nënë Tereza e shihte krishtin, mësuesin tonë dhe shpëtimtarin tonë, sepse njeriu vetëm në pasqyrë e sheh vetën e vet. Ne nuk mund ta ndërtojmë vetveten tonë duke bërë sakrifica të mëdha, nuk kemi nevojë që t’i bëjmë. Ne nuk mund të mbretërojmë vetë tonë duke bërë punë të mëdha. Por të gjithë siç thoshte Nënë Tereza mund të bëjmë punë të vogla me dashuri të madhe. Sepse dashuria është vepër që ndërton paqen”, u shpreh ai.

Në akademinë e mbajtur në 111-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës është promovuar libri Coversazioni con Madre Teresa” nga Don Lush Gjergji dhe “Kulturë e Krishterë. I. Dromca Identitare” nga Don Fatmir Koliqi./Telegrafi/

Exit mobile version