Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani sot u takua me sekretarin shtetëror për Çështje Evropiane në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Mihaell Rot, me të cilin kanë biseduar për procesin reformues dhe rrugën euro-integruese të vendit. Osmani, siç informojnë nga Kabineti i tij, në takimin në Sekretariatin për Çështje Evropiane, ka theksuar se Gjermania është mbështetës i fuqishëm i politikës për zgjerim të BE-së dhe anëtarësimit të vendeve nga Ballkani Perëndimor, që e ka treguar me inicimin e Pocesit të Berlinit, kushtuar lidhshmërisë, marrëdhënieve të mira fqinjësore, bashkëpunimin rajonal dhe integrimin evropian, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Kjo u konfirmua në Samitet e fundit në Vjenë dhe Paris, dhe do të vazhdojë edhe me samitin në Triestes këtë javë, “tha Osmani. Ai ka shprehur pritje se në Samitin në Trieste do të përforcohet perspektiva e Ballkanit Perëndimor përmes mbështetjes së agjendës për lidhje dhe mbështetjen e projekteve infrastrukturore dhe energjetikës, në kuadër të së cilës pret edhe pranimin e projektit tonë infrastrukturor për Korridorin VIII.
Në takim, Osmani e ka njoftuar sekretarin shtetëror Rot edhe me Planin 3-6-9 i cili përmban Reformat Urgjente Prioritare të Qeverisë të cilat do të zbatohen në periudhën e ardhshme. Ai ka theksuar që zbatimi i reformave dhe bashkëpunim rajonal për integrim në BE janë dy trajektore paralele në të cilën po ecë puna e Qeverisë se re, si dhe kthimi i rrugës drejt BE-së është e patjetërsueshme, sepse integrimet euroatlantike të vendit mbeten prioritet strategjik i Qeverisë. Dy bashkëbiseduesit janë optimist që procesi euro integrues i vendit është debllokuar dhe se me përkushtim do të përmbushet koha e humbur, që të vazhdoj vendi pa pengesa ti zbatoj reformat për integrime në BE.
Diplomati gjerman sot u takua edhe me shefin e diplomacisë së Maqedonisë Nikolla Dimitrov, ndërsa dje ka biseduar edhe me kryeministrin Zoran Zaev. Në takimet është shprehur mbështetje e fuqishme nga Gjermania për hapat e Qeverisë së re të Maqedonisë, dhe është vlerësuar se janë bërë lëvizje të dukshme pozitive që paralajmërojnë rezultate në proceset eurointegruese.